Ata do të presin muajin e shenjtë në tenda dhe pa ushqim

Nën hijen e luftës, palestinezët po përgatiten për muajin e shenjtë të Ramazanit. Mijëra policë janë nëpër rrugët e ngushta të qytetit të vjetër në Jerusalem, ku dhjetëra mijëra besimtarë priten çdo ditë në ambientet e xhamisë Al Aksa.

“Ramazani këtë vit vjen teksa palestinezët po jetojnë në një situatë tragjike. Prandaj  në komunën e Hebronit vendosëm ta presim Ramazanin vetëm me rituale fetare dhe të ndalojmë të gjitha festimet dhe dekorimet e rrugëve.”

Por ndryshe nga vitet e mëparshme, dekorimet e zakonshme rreth qytetit të vjetër nuk janë vendosur dhe  e njëjta gjë ka ndodhur edhe me qytetet e tjera në të gjithë Bregun Perëndimor.

Edhe për palestinezët në këtë kamp në Rafah, në jug të Gazës ky Ramazan do të jetë ndryshe.

“Ramazani këtë vit është ndryshe sepse nuk ka ushqim. Nuk është si vitet e tjera, kur sofra e Ramazanit kishte ushqime të ndryshme. Këtë vit Zoti e di nëse mund ta gjejmë ushqimin. Shumë njerëz do të jenë agjërues dhe nuk do të gjejnë ushqim për të prishur agjërimin e tyre.”

Shpresat për një armëpushim gjatë muajit të shenjtë, i cili do të kishte lejuar që Ramazani të kalonte paqësisht dhe do të mundësonte kthimin e të paktën disa prej 134 pengjeve izraelitë janë shuar për shkak se bisedimet e paqes në Kajro ngecën.

Egjipti, Shtetet e Bashkuara dhe Katari kanë ndërmjetësuar negociatat për armëpushimin që nga muaji janar. Marrëveshja e fundit çoi në një ndërprerje njëjavore të luftimeve në nëntor, gjatë së cilës Hamasi liroi mbi 100 pengje dhe Izraeli liroi të burgosur palestinezë.

Klan News