Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë njoftoi se gjashtë nga punonjësit e saj janë vrarë në një sulm ajror izraelit në një shkollë që ajo drejton në Gazën qendrore.
Agjencia e Mbrojtjes Civile e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, tha se si pasojë e sulmit të së mërkurës në shkollën al-Jaouni në kampin e refugjatëve Nuseirat, i cili po përdoret si strehë nga mijëra palestinezë të zhvendosur u vranë 18 persona, nga të cilat OKB thotë se gjashtë prej tyre janë punonjës humanitar.
Ushtria izraelite tha se kreu një “sulm të saktë ndaj terroristëve” dhe se kishte marrë masa për të shmangur dëmtimin e civilëve.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres dënoi sulmin, duke thënë ajo që po ndodh në Gaza është krejtësisht e papranueshme”.
“Një shkollë e kthyer në strehë për rreth 12,000 njerëz u godit sërish sot nga sulmet ajrore izraelite. Gjashtë nga punonjësit tanë janë mes të vrarëve. Këto shkelje dramatike të ligjit ndërkombëtar humanitar duhet të ndalen tani”.
Agjencia e OKB-së tha se sulmi shënoi “numrin më të lartë të vdekjeve në mesin e stafit të saj në një incident të vetëm” që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit në tetor.
Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, kritikoi deklaratën e Guterres, duke theksuar se është e pandërgjegjshme që OKB-ja vazhdon të dënojë Izraelin në luftën e tij të drejtë kundër terroristëve, ndërsa Hamasi vazhdon të përdorë gratë dhe fëmijët si mburoja njerëzore.
Tv Klan