Të paktën 40 persona janë vrarë dhe 60 të tjerë janë plagosur nga sulmet e Izraelit në Gazën jugore. Mbrojtja Civile, e cila është përgjegjëse për operacione të kërkim-shpëtimit në Gazë, tha se kishte mbledhur 40 trupa të pajetë pas sulmit.
Ushtria izraelite deklaroi se avionët e saj sulmuan një qendër operacionale në Khan Jounus që i përkiste luftëtarëve të Hamasit, por banorët vendas pretendojnë se sulmet me të paktën 4 raketa kishin në shënjestër tendat që strehonin njerëz të zhvendosur në zonën humanitare të al-Mavasit, në perëndim të qytetit të Khan Jounus.
Sulmi ndodhi pak pas mesnatës, ndërsa mëngjesin e kësaj të marte banorët dhe mbrojtja civile vijonin kërkimet për të mbijetuar. Në pamjet e publikuara nga Reuters dallohen qartë mbeturinat e tendave të copëtuara, ndërsa në vendin e ngjarjes si pasojë e forcës së madhe shpërthyese ishte krijuar një krater rreth 9 metra i thellë.
Prej nga nisja e konfliktit në tetorin e 2023, kur Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë rreth 1200 izraelitë, në Gaza si pasojë e sulmeve të Tel Avivit kanë humbur jetën mbi 41 mijë palestinezë, ndërsa rreth 100 mijë të tjerë raportohen të plagosur.
Tv Klan