Arkiva Lajme (Speciale) – Tv Klan 1999

Sot në mbrëmje ashtu siç kishin deklaruar edhe më parë delegacioni i shqiptarëve të Kosovës ka nënshkruar dokumentin e paqes. Në orën 6 e gjysmë të mbrëmjes tre përfaqësuesit shqiptarë, Rugova, Qosja dhe Thaçi, kanë nënshkruar në prani të Ambasadorëve të Grupit të Kontaktit dokumentin prej 82 faqesh. Dokumenti i Paqes është nënshkruar edhe nga Ambasadori Amerikan Hill dhe nga ai Austriak Petriç.

Ceremonia që u zhvillua në mjediset ku prej katër ditësh janë zhvilluar negociatat e komunitetit ndërkombëtar me negociatorët shqiptar dhe ata jugosllav, zgjati rreth 10 minuta. Ministri i Jashtëm Rus Igor Ivanov deklaroi sot se Beogradi duhet të nënshkruajë marreveshjen e Paqes. Megjithatë Presidenti Jugosllav Milan Milutinoviç ka vazhduar të kundërshtojë nënshkrimin e dokumentit të ofruar nga Grupi i Kontaktit.

Refuzimi serb ka dërguar sot në Bon të Gjermanisë Ministrat e Jashtëm Britanik dhe Francez Kuk dhe Vedrin. Për mëse dy orë ata kanë biseduar me kolegun e tyre gjerman Joshka Fisher. Në këtë takim morën pjesë dhe Ministrat e Mbrojtjes të tre vendeve evropiane. Pas takimit bashkryetarët e takimit të Parisit thanë se i japin kohë deri të mërkurën e ardhshme Beogradit për të nënshkruar marreveshjen e Paqes. Nëse jugosllavët refuzojnë atëhere ata duhet të mbajnë përgjegjësi për sulmet e NATO-s në Serbi.

Nënshkrimi i marrveshjes së paqes për Kosovën nga delegacioni shqiptar tregon edhe njëherë se janë vetëm jugosllavët që nuk duan që paqja të vendosët në Kosovë. Mbetet të shohim nëse serbët do të nënshkruajn të mërkurën e ardhshme./tvklan.al

Gazetar – Aldon Lipe