Firma franceze, Sagem, e cila u shpall fituese e tenderit për prodhimin e pasaportave biometrike dhe kartave të reja të identitetit e ka nënshkruar marrëveshjen me Ministrinë e Brendshme Shqiptare.

Bujar Nishani: “Konkluduam një proces negociatash, të cilët nuk ishte i lehtë, por ishte shumë i frytshëm dhe i domosdoshëm. Tashmë ne hyjmë në procesin e implementimit të këtij projekti, tërësisht e parashikuar kjo në ambiciet tona për t’i pajisur qytetarët shqiptarë me letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike brenda vitit 2009. Ky projekt që do të implementohet, pra letërnjoftimet e reja elektronike dhe pasaportat biometrike, njëkohësisht do të ecin dhe do të jenë të gatshme për t’u implementuar do t’u bashkëlidhet dhe projekti tjetër, ai i hartimit të një regjistri të ri elektronik të shtetasve shqiptarë”.

Qendra e personalizimit të të dhënave do të jetë dhe pika që do të mbledhë të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë që do të pajisen me karta identiteti dhe pasaporta biometrike.

Çdo qytetar do të plotësojë një formular për pajisjen me letërnjoftim dhe pasaportë do të depozitojë në sistem shenjat e gishtave dhe njëkohësisht fotografinë biometrike.

Pasaportat biometrike do të jenë të pajisura me të gjithë elementët e sigurisë. Ato do të jenë të integruara me të gjitha sistemet e verifikimit të dokumenteve të identitetit të të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian.

Karta e identitetit do t’i kushtojë një qytetari 110 lekë të reja, ndërsa pasaporta biometrike, e pajisur dhe me një cip elektronik do të kushtojë 5 mijë lekë, aq sa kushton dhe pasaporta aktuale./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani