Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, ka vlerësuar deklaratën e ambasadorit të Komisionit Europian Lutz Salzman, bërë pak ditë më parë. Përveç asaj që cilësohej për ndryshim të lidershipve të dy partive më të mëdha në vend, Ceka shkon edhe më larg, jo vetëm qeveria, por dhe imazhi ndryshe i kryeministrit.

Neritan Ceka: “Kjo është përsëri një mesazh që duhet të na bëjë të mendojmë, veçanërisht koalicionin në pragun e riformimit të qeverisë ngrihet çështja si rrjedhim jo vetëm e një imazhi të ri të vetë qeverisë, por dhe imazhit të vetë kryeministrit. Edhe mekanizmat e klasës politike mund të veprojnë deri në zgjedhjet e ardhshme qoftë mekanizmat partiake, qoftë ato parlamentare, për t’i dhënë një përgjigje këtij mesazhi shumë të qartë të Unionit Europian.”

Në lidhje me përcaktimin e ambasadorit Salzman, për dy udhëheqësit e politikës që mbartin mentalitet komunist dhe e zbatojnë atë në politikat e tyre, Ceka u shpreh:

Neritan Ceka: “Ndoshta dhe gama e politikanëve, të cilët mbajnë në vete të themi, cilësi të trashëguara nga periudha e komunizmit dhe i zbatojnë akoma në politikat e sotme mund të jetë më e gjerë se sa dy personat që ka cilësuar zoti Salzman.”

Por sipas Cekës ka probleme përsa i përket zbatimit të mesazheve të dhëna nga Salzman. Unioni Europian duhet të jetë më i vëmendshëm në çështjet kryesore të Shqipërisë. Deklarata e Salzmanit për Cekën është edhe kontradiktore.

Neritan Ceka: “Çështjet shumë kryesore që rregullojnë pastrimin e klasës politike, ata ia kanë lënë në dorë OBES-së dhe këtu bëhet fjalë kodin zgjedhor, i cili totalisht është në duart e dy partive kryesore dhe si rrjedhim në duar e dy liderëve. Janë ata që do vendosin se si do bëhen zgjedhjet dhe se si do numërohen zgjedhjet dhe unë këtu shikojë një kontradiktë në mesazhin e zoti Salzman, që nga një anë kërkon, që klasa politike të vetëpastrohet dhe pak nga pakë të largohen ato reminishenca të së kaluarës komuniste dhe nga ana tjetër, lejon që OSBE-ja të përgatis një ligj, i cili është krejt politik.”

Në 14 vjet pluralizëm partitë më të mëdha në vend vazhdojnë të dominohen nga dy liderët e saj, me përjashtim të PD, që ka pasur edhe dy kryetarë të tjerë partie, por jetëshkurtër. Ndërkohë rizgjedhja e dy kryetarëve në dy partitë e mëdha në statutet e tyre është pa kufizim./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti