Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu e quajti vdekjen e dhjetëra civilëve palestinezë në një sulm ajror izraelit në Rafah, një “gabim tragjik”.

“Megjithë përpjekjet tona më të mira, për të mos dëmtuar ata që nuk janë të përfshirë, fatkeqësisht një gabim tragjik ndodhi mbrëmë. Ne po hetojmë rastin,” tha Netanyahu për sulmin në një fjalim në Knesset.

Ndërkohë kujtojmë se të paktën 45 persona u vranë dhe 200 u plagosën pasi sulmi izraelit goditi një kamp për personat e zhvendosur, sipas zyrës së mediave qeveritare në Gaza.

Ushtria pretendoi se sulmi kishte në shënjestër një kompleks të Hamasit në Rafah.

Sulmi mund të konsiderohet si një hakmarrje e Izraelit, për goditjet me raketa më herët gjatë të Dielës, të Hamasit ndaj Tel Avivit. Ky sulm që shkaktoi vetëm dëme materiale ishte i pari me raketa me rreze të gjatë veprimi i kryer nga Hamasi ndaj Izraelit që prej Janarit.

/tvklan.al