Të paktën 40 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të plagosur është bilanci i një sulmi me raketa të kryer gjatë natës nga ushtria izraelite në Rafah. Raketat goditën një kamp në lagjen Tal Al-Sultan, rreth 2 kilometra në veri-perëndim të qendrës së qytetit.

Ushtria izraelite tha se në shenjestër ishin dy komandantë të zonës të Hamasit, të cilët u ekzekutuan. Ndërsa zyrtarët e shëndetësisë në Rripin e Gazës thanë se viktimat janë të strehuar në këtë kamp nga zona të tjera të vendit, ndër të cilët edhe gra e fëmijë.

Sulmi mund të konsiderohet si një hakmarrje e Izraelit, për goditjet me raketa më herët gjatë të Dielës, të Hamasit ndaj Tel Avivit. Ky sulm që shkaktoi vetëm dëme materiale ishte i pari me raketa me rreze të gjatë veprimi i kryer nga Hamasi ndaj Izraelit që prej Janarit.

Me sulmin e kësaj të Diele, Izraeli injoroi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ku i kërkohej Izraelit të ndalte sulmin në Rafah. Para mbledhjes së Ministrave të Jashtëm të BE-së, kryediplomati Joseph Borrell i kërkoi sërish Izraelit të respektojë vendimet e gjykatave ndërkombëtare.

Tv Klan