“Super e marta” vendos për kandidatin republikan

Gati dy muaj pas nisjes së zgjedhjeve paraprake për kandidaturën presidenciale republikane, Nikki Haley, rivalja e vetme e mbetur në garë përballë Donald Trump korri fitoren e parë. Haley fitoi në zgjedhjet paraprake të kryeqytetit Washington, i shquar si një bastion i demokratëve dhe me numrin më të ulët të republikanëve të regjistruar.

Fitorja është simbolike pasi nga 23 mijë republikanë që numërohen në Washington, në zgjedhjet paraprake morën pjesë vetëm gati 9% e tyre. Stafi i Trump nuk ngurroi të sulmojë Haley edhe për këtë rast, duke e quajtur atë si “Mbretëreshën e Batakut”, fitorja e së cilës sipas tyre është diktuar nga lobistët.

Në shkallë kombëtare, Trump deri më tani ka një avantazh të fortë dhe kryeson me 244 delegatë, kundrejt 43-ve të arritur nga Haley. Sytë tani janë tek zgjedhjet e të ashtuquajturës “Super të Martë” të 5 Marsit, ku zgjedhjet kryen njëherësh në 15 shtete federale ku në lojë janë 874 delegatë.

Sondazhet parashikojnë fitore bindëse të Donald Trump-it në këtë raund që pritet t’i konsolidojë përfundimisht rrugën drejt kandidaturës presidenciale për zgjedhjet e 5 Nëntorit. Për të siguruar kandidaturën nevojitet mbështetja e të paktën 1215 delegatëve në konventën e Korrikut.

Tv Klan