Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kryetari i Partisë Demokristiane, deputeti Nikollë Lesi, u ka propozuar dy partive më të mëdha në vend, PS dhe PD, që të krijojnë një qeveri kombëtare të integrimit. Sipas zotit Lesi, kjo është zgjidhja e vetme për të nxjerrë vendin nga kriza dhe situata politike konfliktuale.

Nikollë Lesi:- “Kjo qeveri të ketë për mision, ruajtjen e stabilitetit ekonomik të vendit, luftën reale ndaj fenomeneve negative, që vëren Bashkimi Europian si lufta ndaj kontrabandës, krimit të organizuar etj. Natyrisht, kjo qeveri që propozojmë ne, duhet të mos ketë detyrimisht kryeministër zotin Nano, i cili tashmë është konvertuar në një simbiozë me krimin e organizuar rajonal dhe mafien vendase”.

Demokristiani Lesi tha, se për idenë e tij ka folur deri tani me disa kryetarë të grupeve parlamentare të opozitës, ndërsa pohon se Nano, nuk do ta pranojë këtë ide.

Nikollë Lesi:- “Nga informacionet që kam, javën e ardhshme do të ketë probleme edhe brenda grupit parlamentar të PS, sherret tashmë dihet që janë të njohura dhe nëse nuk realizohet ky propozim, sipas nesh, ky është një variant që ne kemi menduar, për të larguar nga destabiliteti i pritshëm që po vjen, mendoj që PS do ta rrëzojë vetë zotin Nano brenda pak javëve”./tvklan.al