Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Dita e parë e regjistrimit të studentëve në konkurset për pranimin në shkollat e larta ka qenë një kaos i vërtetë. Me qindra studentë të shoqëruar nga prindërit dhe të afërmit e tyre janë dyndur që sot për t’u regjistruar pranë sekretarive mësimore të fakulteteve. Afati për regjistrimin e të gjithë studentëve është tre javë, por duket se të gjithë kanë preferuar që të regjistrohen që ditën e parë.

Studentët kërkojnë të pajisen menjëherë me programet e konkurseve, të cilat mund t’i marrin vetëm ditën e regjistrimit dhe kjo për arsye se koha për t’i studiuar ato është tepër e shkurtër. Dekanët e fakulteteve të Universitetit të Tiranës, kishin vendosur që t’i jepnin prioritet studentëve që vinin nga rrethet, duke bërë më parë regjistrimin e tyre dhe më pas atë të studentëve nga Tirana, por nuk është respektuar një vendim i tillë.

Kandidatët për studentë dhe prindërit e tyre, janë shprehur jo të kënaqur me procedurat që ndiqen për regjistrimin nëpër sekretaritë mësimore.

Gazetarja:- Si të duket procedura që po ndiqet për regjistrim?

Studentja 1:- “Të paktën unë që jam nga Durrësi më duket skandal fare. Kemi shumë që presim atje, jemi lodhur, radha është e madhe, hyjnë pa radhë, bërtasin, ulërasin. Unë kam konkurruar dhe në Ekonomik, por të paktën kishte më rregull”.

Studentja 2:- “Po sorollatemi për vetë faktin se ka shumë dyndje”.

Qytetari:- “Po pres për fëmijën, për gocën, ta regjistrojë këtu në të shkollë. Kam ardhur në orën 6 të mëngjesit dhe akoma s’kam mbaruar punë. Jam nga Gramshi dhe s’dihet se kur do mbarojë. Mua autobusi më ikën tani në orën 1, unë ngela këtu. Po s’mbarova punë sot do fle në hotel se këtu nuk kam njeri”.

Një vit më parë, jo të gjithë studentët munden të regjistroheshin brenda afatit të vendosur, prandaj fakultetet u detyruan që t’i shtyjnë edhe një javë regjistrimet. Duke marrë parasysh që priten që në të gjitha universitetet e vendit të regjistrohen rreth 25 mijë studentë, duket se edhe këtë vit të ketë probleme me afatin e vendosur.

Sekretarja:- “Unë e kam thënë dhe vjet, e them dhe sivjet, që është shumë vonë data e fillimit të regjistrimit për konkurse, duhet pak më shpejt që të kenë mundësi të punojnë”.

Tarifa e regjistrimit për të konkurruar në shkollat e larta dhe sivjet do të jetë e njëjtë me një vit më parë, pra 2500 lekë të reja, ndërkohë që nuk kanë ndryshuar as tarifat për të gjithë studentët që do të ndjekin studimet me pagesë./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka