Bashkia e Tiranës e ka nisur nga Njësia 7 projektin për korsitë e dedikuara për autobusët, mbështur dhe nga qeveria gjermane nëpërmjetë GIZ. 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi gjatë mbrëmjes nisjen e punës, duke e vënë theksin te rëndësia e projektit, i cili ndihmon në qarkullimin më të mirë të autobusëve dhe përmirësimin e shërbimit për qytetarët.

“Po e fillojmë nga Njësia 7, në segmentit nga ‘Zogu i Zi’ në drejtim të ’21 Dhjetorit’ dhe ‘Vasil Shantos’. Kemi një ishull gjelbërimi që do të jetë një pikë izolimi edhe për çështje të sigurisë që këmbësorët dhe çiklistët të jenë të sigurt dhje pastaj pjesa e korsisë së dedikuar të jetë për autobusët. Korsia e autobusëve shkon në një mënyrë ekspres dhe bëhet shumë komode për të marrë autobusin. Autobusi ngadalësohet kur futet në trafik me gjithë të tjerët.”

Projekti i korsive të dedikuara dhe i rinovimit të shërbimit të autobusëve quhet “Urbani” dhe parashikon vendosjen e stacioneve në Google Maps si dhe pajisjen e tyre me tabela informuese.

“Që atë pilot që kemi bërë te “Dritan Hoxha” dhe te “Rruga e Durrësit” ta vazhdojmë edhe përgjatë Unazës. Do të kemi disa ndërhyrje në këtë fazë të parë. Ky është pjesë e një studimi që ne kemi bërë me qeverinë gjermane GIZ-ën dhe KFV, por përpara se të blejmë autobusët e rinj duhet të kemi infrastrukturën. Kështu që po fillojmë tani me infrastrukturën bazë.”

Një nga ndërhyrjet kryesore ka të bëjë me nyjen e ‘Kastriotëve’, ku do të ndërtohet një një rrethrrotullim të madh, si nyje lidhëse e rëndësishme për qytetarët e Kodër-Kamzës, për të lehtësuar ndjeshëm lëvizjen në këtë zonë.

Klan News