Lajme Arkiva – TV Klan 2003

20 shtëpi banimi janë legalizuar deri tani në Bathore, që pas protestave të disa muajve më parë. Kjo shifër edhe pse e vogël, sipas kryetarit të njësisë Bathore, do të rritet me kalimin e kohës.

“Kanë depozituar kërkesat rreth 200 familje dhe tani kanë përfunduar rreth 20 familje, legalizimin e plotë të tyre”.

Por rruga është e gjatë deri në përfundimin e legalizimeve të 4 mijë e 600 familjeve të kësaj zone. Për të arritur deri këtu, fillimisht 21 mijë banorët e Bathores duhet të regjistrohen në zyrat e gjendjes civile.

“Në zyrën e gjendjes civile të njësisë Bathore, janë të regjistruar 21 mijë e 150 banorë. Nga këto, janë 4 mijë e 600 familje të cilat janë të ardhur nga gjithë zonat e Shqipërisë”.

Ndërkohë që pjesa më e madhe e banorëve të lagjes 4, 5 dhe 6 nuk janë regjistruar ende, shtëpitë në Bathore vazhdojnë të mbijnë po si kërpudhat pas shiut. Në Bathore tregojnë, se tani që është hapur çështja e legalizimeve, ka një dyndje të popullsisë, kryesisht nga veriu i vendit. Regjistrimi i lindjeve, martesave dhe vdekjeve është në qendër të një fushate sensibilizuese edhe të Ministrisë së Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit.

“Ne mendojmë, se brenda një kohe shumë të shkurtër, gjithë popullsia që jeton aktualisht në Bathore do të jetë regjistruar në regjistrat e gjendjes civile. Ky proces do të ndihmojë shumë dhe procesin e legalizimit të pronave të tyre, sepse kushti i parë për t’u pajisur me dokumentacion është vërtetimi që jep banori i asaj zone”.

Por duket se kaq nuk mjafton për t’i çuar të ardhurit nga zona të ndryshme të vendit në zyrat e gjendjes civile, apo të paraqesin dokumentet në njësinë e Bathores, për të kërkuar legalizimin e shtëpive, shumë prej tyre janë mosbesues. Shumë kërkojnë me detyrim legalizimin e shtëpive edhe pse nuk i dinë hapat që duhet të ndjekin për ta kërkuar atë, ndërsa të tjerë shpresojnë tek qeveria./tvklan.al

Gazetare – Danjela Kostandini