Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Gruaja e cila sipas policisë u mor peng nga një grup trafikantësh është nisur drejt Francës, bashkë me shtetasin francez dhe vajzën e saj të mitur. Burimet e policisë kanë konfirmuar lajmin, sipas të cilit tre personazhet e pengmarrjes, në shkëmbim të 100 mijë eurove, kanë lënë Shqipërinë paradite dhe kanë udhëtuar me avionin e linjës Albanian Airlines.

Një ditë më parë, 26-vjeçarja dhe shtetasi francez dëshmuan përball tre të arrestuarve, për trafikim të femrave për prostitucion dhe mbajtje larg të personit të mitur. Policia ka deklaruar pas arrestimit të tre personave, se viktimë e të njëjtit grup është edhe një grua, e cila dyshohet të jetë motra e 26-vjeçares që u mor peng.  

Ndërkohë gjatë seancës për sigurimin e provës, ajo ka deklaruar se e ka ushtruar me vullnetin e saj profesionin e prostitutës, e shtyrë nga gjendja e rëndë ekonomike, duke mos fajësuar asnjë nga të pandehurit, si tutorë të saj.

Megjithatë, deri në çastin e nisjes drejt Francës, ajo është marrë në mbrojtje nga qendra kombëtare për rehabilitimin e viktimave të trafikut dhe policia shqiptare, si e rrezikuar nga trafikantët./tvklan.al