Tetova është gdhirë në një atmosferë të qetë votimi, janë 70 mijë zgjedhës në të gjithë Tetovën të cilët do duhet të votojnë për të zgjedhur drejtuesit e rinj lokal si dhe kryetarin e ri të shtetit.

“Nuk parashikojmë ndonjë problem dhe kështu si ka nisur besoj se deri në fund do të mbarojë votimi korrekt …”

Për komunën e Tetovës sondazhet evidentojnë si favorit kryetarin aktual Hazbi Lika përfaqësues i partisë shqiptare në pushtet BDI, si dhe kandidatin e PD të shqiptarëve të Maqedonisë Sadi Bexheti. Në konkurrim janë gjithashtu Mahmud Jusufi nga partia Demokracia e Re si dhe partia në pushtet VRMNO-DPMNE konkurron me koalicion me kandidatin Bransilav Zvetozareviç.

Në të gjithë territorin e vendit komisioni shtetëror i zgjedhjeve raporton një përqindje të ulët krahasuar me zgjedhjet e qershorit 2008. Deri në orën 10 të paradites për zgjedhjet komunale kanë marrë pjesë 7.69% e votuesve, ndërsa për garën presidenciale 7.9%.

Thënë ndryshe 4% më pak referuar të njëjtës orë në zgjedhjet e parakohshme të qershorit të vitit të shkuar. Faktor kryesor i përqindjes së ulët në votime mendohet të jetë moti i keq me temperatura të ulëta si dhe me reshje të dendura dëbore.

Kjo ka ndikuar dhe në shpërndarjen me vonesë të materialit zgjedhor në disa komuna të thella të vendit.

“Parashikimet flasin për një situatë zgjedhore të qetë e cila do të jetë e tillë deri në orën 19 kur të mbyllen edhe kutitë e votimit dhe të fillojë procesi i numërimit të votave. Nëse situata do të jetë e qetë do të ndodhë edhe për shkak të një presioni të jashtëzakonshëm ndërkombëtar. Shifrat jozyrtare flasin për të paktën 7 mijë vëzhgues ndërkombëtar të shpërndarë në të gjithë territorin e Maqedonisë të cilët gjatë ditës së djeshme kanë patur takime intensive me përfaqësues të partive shqiptare të Maqedonisë, por edhe me median lokale.

Nga Tetova informon për Televizionin Kombëtar Klan, Meanda Zaimi.”/tvklan.al