Maqedonia mesa duket ka kaluar provimin. Misioni vëzhgues i OSBE-ODHIR doli me vlerësimin se raundi i parë i zgjedhjeve vendore dhe presidenciale i ka përmbushur shumicën e standardeve ndërkombëtare. Votimet nuk u shoqëruan me incidente, të cilat i lanë në hije zgjedhjet parlamentare të vitit të shkuar.

Megjithatë organizata vlerëson se ka patur disa parregullsi procedurale dhe se procesi i numërimit të votave është vlerësuar si “pak pozitiv”. Sidoqoftë përfaqësues të shumtë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së u deklaruan të kënaqur me faktin se Maqedonia ka bërë disa hapa përpara në rrugën drejt demokracisë.

Piter Iker: “Edhe krahas disa çështjeve të cilat lanë hapësirë për shqetësim, raundi i parë zgjedhor paraqet hap të rëndësishëm përpara, me vëmendje duhet ta ndjekim procesin në raundin e dytë të zgjedhjeve.”

Me pothuaj të gjitha votat e numëruara konfirmohen tashmë se përsa i përket zgjedhjeve presidenciale në raundin e dytë më 5 prill do të përballen kandidati i VRMNO-DPMNE George Ivanov dhe ai i lidhjes social demokrate Lubomir Ferçovski

Aleksandër Novakovski: “Në bazë të 95% të rezultateve të përpunuara në raundin e dytë do të garojnë kandidatët presidencial George Ivanov, i cili ksa fituar 35% të votave në rrethin e bardhë dhe Lubomir Ferçovksi i cili ka fituar 20% të votave.”

Për Ivanov 49-vjeçar  kjo është përpjekja e parë për tu futur në politikë, dhe menjëherë pas shpalljes së rezultateve ai u zotua se do të bashkëpunojë ngushtë me qeverinë  për sjelljen e Maqedonisë më pranë Bashkimit Europian dhe NATO-s.

Nga votat e numëruara në 32 komuna me shumicë shqiptare, del se në katër prej tyre kanë fituar kandidatët e partisë Bashkimi Demokratik për Integrim pjesë e koalicionit qeverisës.

Megjithatë në komunat më të mëdha të banuara me shqiptarë si Tetovë, Strugë, Gostivar, fituesi do të caktohet në raundin e dytë. Në komunën e Tetovës beteja kryesore në balotazh do të zhvillohet mes kandidatit të BDI-së dhe atij të PDSH-së.

Në rrugët e Shkupit, ndërkaq rezultatet duket se nuk kishin shumë rëndësi. Maqedonasit e dinë tashmë se ky vend i vogël ka shumë sprova të tjera në sytë e botës. 

Zgjedhjet shkuan më së miri tha një maqedonas, ishin të ndershme dhe demokratike. Duhet të jemi krenarë, të shohim çfarë do të ndodhë në raundin e dytë./tvklan.alGazetare: Urita Dokle