Lulzim Basha ka reaguar pasi kryeministri Edi Rama prezantoi nismën për Këshillim Kombëtar. Kreu i PD-së thotë se Rama di të ofrojë vetëm propagandë përballë skandaleve.

Lulzim Basha: Pasi i ka varfëruar, përgjuar, shantazhuar për të masakruar zgjedhjet, doli me devizën e vjetër “ç’thotë partia bën populli, ç’do populli bën partia”, sepse propaganda është e vetmja gjë që di të ofrojë përballë furisë së skandaleve që e ekspozojnë si shkatërruesin e mirëqenies së shqiptarëve. Afera mafioze e inceneratorëve dhe nxjerrja në pazar e të dhënave më sensitive të qytetarëve të një vendi anëtar të NATO, nuk e mbulon dot me shfaqje bajate. Këto skandale vjedhjesh, mashtrimesh, manipulimesh që po lëkund themelet e shtetit, s’kanë nevojë për shfaqje, por kërkojnë drejtësi për të çliruar shqiptarët nga shteti i kapur nga korrupsioni.

Kryeministri Edi Rama prezantoi më herët nismën për Këshillim Kombëtar. Kreu i qeverisë tha se kjo iniciativë do të jetë një kuvendim popullor ku qytetarët, brenda dhe jashtë vendit, do të pyeten për çështje të rëndësishme strategjike për vendin, ekonominë dhe shoqërinë. /tvklan.al