Një nga familjet më të famshme të Shqipërisë në Evropë të cilat mbajnë mbiemrin e qytetit të Durrësit, familja Durazzo ka një histori publike që prej shekullit XIV kur emigruan në Republikën e Genova-s në Itali. Në vitin 1573 ata u bënë të famshëm pasi një nga familja e Durazzo u bë Doge i Genova-s, Giacomo Durazzo. Pas kësaj, Republika e Genova-s u kryesua për 10 herë nga familja Durazzo deri në vitin 1805. Por sot, pas disa shekujsh, një nga pinjollet e familjes Durazzo, Angela Valenti Durazzo, ka botuar në një libër gjithë historikun e familjes fisnike, një kopje e të cilit ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar.

Moikom Zeqo: “Ata kanë një numër shumë të madh personalitetesh, jo vetëm senatorë, konsuj, por edhe njerëz të artit, madje dhe në fushën kishtare kanë disa kardinalë që mbajnë dhe mbiemrin Durazzo. Në Genova, akoma edhe sot, piaca kryesore e qytetit mban emrin Durazzo. Shumë rrugë mbajnë emrin e kësaj familje. Janë shumë pallate rezidente të kësaj familje dhe, jo vetëm në Genova, por edhe në disa vende të tjera të Evropës.”

Në fund të këtij viti do të hapet edhe një ekspozitë e veçantë me relike dhe vepra të artit të familjes Durazzo. /tvklan.al