Policia godet një bandë të sofistikuar që vidhte prej muajsh bankat më të mëdha në Shqipëri. 17 persona janë prangosur brenda një harku të shkurtër kohorë gjatë mbrëmjes së shkuar në operacionin e koduar “Matrix 4”.

Përmes këtyre aparaturave elektronike, pjesëtarë të kësaj bande të shtrirë në të gjithë Shqipëri klononin kartat e kreditit si Visa dhe Mastercart dhe përvetësonin paratë e llogarive bankar kryesisht të shtetasve të huaj. Policia ka rënë në gjurmë pas sinjalizimit të njërës prej bankave viktima dhe ka survejuar grupin prej plot 8 muajsh.

Ahmet Premçi: “Puna e policisë nisi pas denoncimit të bërë nga Banka Amerikane e Shqipërisë me datën 30.11.2007 dhe në disa bankomate të kësaj banke duke konsumuar, konstatuar bllokimin automatik i kartave plastike të cilat kanë tentuar tërheqjen e parave të disa llogarive të depozituara në emër të personave të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj. Për herë të parë përballemi me këtë lloj krimi të panjohur më parë tek ne, i cili përbën një formë ende të re vjedhje edhe për vendet e zhvilluara, arsye për të cilat unë do ta konsideroja krim të së ardhmes”.

Truri i kësaj bande është cilësuar Endrit Gjergjani, përmes një pajisje tashmë të sekuestruar, ai kryente klonimin e kartave të kreditit përmes blerjeve nga hakerat në internet dhe më pas ua shpërndante kopjet bashkëpunëtorëve të tij. Janë kryer gjithsej 400 grabitje, 272 në Tiranë dhe 128 në qytetet e Durrësit, Fierit, Vlorës, Kavajës. Viktimat janë rezident në Evropë apo Kanada.

Genti Xholi: “Mekanizmi i krimit, realizohej nëpërmjet klonimit të kartave të cilat pajiseshim me informacion të personalizuar nga persona të tretë, karat të cilat personat e ndaluar tashmë i përdornin në mënyrë të paligjshme për kryerjen e disa transaksioneve bankare dhe financiare”.

Vlera monetare e tërheqjes përmes kartave me shirit magnetik nuk është përllogaritur ende, por ajo mendohet të jetë e konsiderueshme. Hetimet nuk kanë përfunduar, dyshohet se në grupin kriminal ka bashkëpunëtorë dhe nga punonjës të bankave.

Armand Gurakuqi: “Bankat e dëmtuara nuk shtrihen vetëm në territorin shqiptarë, pasi për shkak të natyrës së marrëdhënieve që bankat shqiptare kanë me bankat e huaja, vlerat do mund të shtrihet jo vetëm në këto banka por dhe në banka të shteteve të tjera”.

Sipas të dhënave operative, pjesa më e madhe e parave të vjedhura shpenzuara në blerje të sendeve me vlerë si argjendari, automjete luksoze të prodhimeve të fundit, aksesorë të ndryshëm apo qendra biznesi në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë. Po hetohet gjithashtu dhe për konto bankare të të arrestuarve./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani

Operator: Ben Haxhiaj