Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka dalë në një deklaratë për mediat në lidhje me operacionin e koduar “Revanshi” për ekzekutimin e 50 masave të sigurisë të caktuara nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Policia thotë se gjatë verifikimeve në sistemin TIMS ka rezultuar se 13 persona ndodheshin jashtë shtetit dhe janë larguar para zhvillimit të operacionit, ndërkohë 6 të tjerë kanë qenë të shpallur në kërkim para aksionit sipas vendimit të gjykatës për vepra të kryera më parë.

Shërbimet e policisë kanë arrestuar 8 persona ndërsa 6 të tjerë u kapën jashtë vendit, në Itali, Spanjë, Belgjikë dhe Gjermani. 6 të tjerë ndodheshin aktualisht në burg, ku edhe u njohën me akuzat në institucionet përkatëse ku vuajnë dënimet.

Sipas policisë, janë 11 persona, mes tyre edhe dy efektivët e policisë, të cilët i janë shmangur organeve të drejtësisë dhe nuk ka qenë e mundur kapja e tyre. Policia mohon që ndonjë strukturë e policisë të jetë përjashtuar nga pjesëmarrja në aksion dhe thekson se deri më tani nuk ka asnjë indicie për dekonspirim të operacionit.

“Theksojmë faktin se asnjë strukturë e Policisë së Shtetit në nivel qendror apo vendor nuk është përjashtuar nga pjesëmarrja në operacionin “Revanshi” dhe deri tani nuk ka asnjë indicie për dekonspirim të operacionit. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bashkëpunim shumë të mirë, të bazuar në ligj dhe në besueshmëri të plotë me SPAK-un, me GJKKO-në dhe me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.   Bazuar në rezultatet e punës, të arritura gjatë vitit 2023 dhe gjatë 5-mujorit të parë të vitit 2024, rezultate të cilat janë të pakrahasueshme me periudha të mëparshme, tregojnë qartë angazhimin maksimal dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit, në luftën ndaj krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi”, njoftoi policia.

Uniformat blu thonë se për zbatimin e këtij plani operacional u angazhuan 50 oficerë të Policisë Gjyqësore, Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, personeli policor i Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, të gjithë efektivët e Forcës Kombëtare të Sigurisë, 80 % e efektivëve të RENEA-s, 100 punonjës të Policisë Tiranë, 50 punonjës të Policisë Durrës, 50 punonjës të Policisë Lezhë, 50 punonjës të Policisë Vlorë dhe 20 punonjës të Policisë Shkodër. /tvklan.al