Nga data 1 prill deri më 1 maj të gjithë shtetasit pa pasaportë do të gëzojnë të drejtën e aplikimit për pajisjen me letërnjoftim elektronik pranë zyrave të gjendjes civile.

Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së qeverisë e cila përcaktoi në këtë mënyrë vendosjen e afateve dhe masave shtrënguese për të gjithë ata shtetas që nuk aplikojnë brenda këtij afati.

Procedura e aplikimit për shtetasit të cilët disponojnë pasaportë fillon më datën 1 maj të këtij viti. Nga ky rregull përjashtohen ata që kanë aplikuar brenda datës 31 janar, për të cilët pajisja do të vazhdojë rregullisht.

Sipas vendimit të miratuar gjatë mbledhjes së ekzekutivit në të gjitha njësitë e qeverisjes vendor, kur ende nuk ka filluar ky proces, procedura e aplikimit për shtetasit që disponojnë pasaportë do të fillojë më datën 1 qershor.

Për tu dhënë prioritet personave që nuk kanë pasaportë qeveria ka përcaktuar dhe sanksione në rastet kur punonjësit e gjendjes civile lejojnë aplikimin e shtetasve me pasaportë brenda periudhës 1 prill-1 maj. Në të tilla raste vendimi i qeverisë ia ngarkon koston e aplikimit punonjësit të gjendjes civile./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro