Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë mërgimtarëve, që t’i shmangin të gjitha hyrjet dhe daljet në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo thirrje, sipas MPJ-së, vjen pas paralajmërimeve të të ashtuquajturit “Këshill Organizativ për Bllokada” në Serbi, i cili ka thënë se më 6 Shtator, planifikohen bllokada të rrugëve që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Kosovën.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u bën thirrje të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës, përfshirë pjesëtarët e mërgatës, që kanë planifikuar apo janë duke planifikuar kalimin tranzit përmes territorit të Serbisë, të shmangin të gjitha hyrjet dhe daljet në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë”.

“MPJD u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe pjesëtarëve të mërgatës që të ndjekin me kujdes zhvillimet dhe paralajmërimet e reja lidhur me situatën dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare të institucioneve të Republikës së Kosovës, për të shmangur dezinformatat dhe lajmet e rreme”, thuhet në reagim.

Më tej, MPJ-ja tha se për çdo zhvillim të ri, qytetarët do të mbahen të informuar./Klan Kosova