Parku kombëtar Divjakë-Karavasta është zona më e vizituar nga turistët e huaj në Qarkun e Fierit.

Jo vetëm gjatë fundjavave, por në çdo ditë të shumtë janë ata që ndalojnë për të parë natyrën e egër. Mes turistëve ka francezë, spanjollë, gjermanë, anglezë e italianë.

“Kam ardhur nga Bolonja dhe prej 7 ditësh jam këtu në Shqipëri, kam vizituar Durrësin dhe Sarandën. Kam sjellë familjen për turizëm këtu, do qëndrojmë në lagunë dy ditë sepse më pëlqen shumë turizmi i natyrës e pastaj do shkojmë sërish në plazh”.

“Do të qëndrojmë dy javë në Shqipëri, është shumë bukur këtu, kam vizituar Tiranën, Vlorën, Sarandën, veriun. Janë vende shumë të bukura. Këtu në Parkun Nacional të Divjakës kam parë pelikanin kaçurrel, zogjtë e egër, më lanë përshtypje të këndshme”.

“Ajo që më ka çuditur janë shqiptarët shumë të sjellshëm. Kemi gjetur mikpritjen, dashurinë dhe mirësinë e banorëve. Madje na kanë ofruar ndihmë edhe pa ia kërkuar. Do të qëndroj disa ditë, ushqimi këtu është shumë i mirë, natyra mjaft e bukur.”

Turizmi i natyrës, ecjet e gjata, fauna e egër dhe plazhi, të gjitha bëhen bashkë në këtë vend.  Shëtitjet me varka janë po ashtu të preferuara.

Në 7 muajt e parë të këtij viti, Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është vizituar nga 67 mijë turistë nga të cilët 54 mijë të huaj dhe 13 mijë vendas.

Tv Klan