Izraeli gjeti trupat e gjashtë personave të marrë peng gjatë sulmit të Hamasit më 7 Tetor 2023.

Trupat e pajetë u zbuluan në një tunel në Rafah në Gazën jugore, rreth 1 kilometër larg nga vendi ku javën e kaluar u shpëtua i gjallë një tjetër peng.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, kundëradmirali Daniel Hagari tha se ato dyshohet se janë vrarë brutalisht pak para se ushtarët izraelit të mbërrinin në vendin ku u gjetën.

Mes viktimave është edhe një i ri izraelito-amerikan, i cili u mor peng gjatë festivalit të muzikës në jug të izraelit.

Gjithashtu ushtria izraelite bëri të ditur se trupat e pajetë të gjashtë pengjeve ishin kthyer në Izrael.

Një zyrtar i lartë i Hamasit tha se Izraeli, me refuzimin e tij për të nënshkruar një marrëveshje armëpushimi, ishte përgjegjës për vdekjet.

Lidhur me këtë vdekjen e gjashtë pengjeve reagoi edhe presidenti amerikan Joe Bajden, i cili përmes një deklarate të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, tha se ndihej “i shkatërruar dhe i indinjuar”.

Tërheqja e trupave të tyre nxiti thirrje për protesta masive kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të cilin shumë familjarë të pengjeve dhe shumica e publikut të gjerë izraelit e fajësojnë për dështim të lirimit të tyre përmes një marrëveshjeje me Hamasin, që do t’i jepte fund luftës 10-mujore.

Hamasi sulmoi Izraelin më 7 Tetor duke vrarë rreth 1200 persona dhe duke marrë pengje rreth 250 të tjerë. Kjo shënoi nisjen e luftës mes Izraelit dhe grupit militant gjatë së cilës në Gaza janë vrarë rreth 41 mijë palestinezë dhe janë plagosur rreth 94 mijë të tjerë.

Tv Klan