Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Partia Demokratike ia faturon kryeministrit Fatos Nano përkeqësimin e marrëdhënieve me FMN. Tentativat e Nanos për të përkrahur amnistinë fiskale, sipas sekretarit për marrëdhëniet ndërkombëtare në PD Besnik Mustafaj, bëhen me qëllim mbrojtjen e trafiqeve dhe krimeve, me të cilët ka lidhje qeveria shqiptare.

Besnik Mustafaj:- “Ne kemi parasysh këtu dy lloj përpjekjesh që po bën Nano, qoftë presionin e drejtpërdrejt mbi to, një presion i ushtruar pak kohë më parë mbi OSBE, që vazhdon në mënyrë të pashpallur ende, qoftë dhe në rastin e fundit me FMN, qoftë edhe mënyrën e funksionimit, për t’i dështuar ato përpjekje të përbashkëta shumëpalëshe, shumëkombëshe për të ndërtuar, për të ndërtuar në Shqipëri struktura të përshtatshme për të luftuar krimin e organizuar, trafiqet, korrupsionin në lidhje të tij me politikën”.

Mustafaj përkrah deklaratën e djeshme të Olters, që FMN gjendet në Shqipëri si rezultat i marrëveshjes ndërmjet qeverisë dhe FMN-së. Mustafaj përmendi incidente të tjera të ndodhura ndërmjet qeverisë dhe organizatat ndërkombëtare, duke sjellë si shembull OSBE pak kohë më parë./tvklan.al