Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kryetari i Bashkimit Liberal Teodor Laço dhe drejtues të tjerë të kësaj partie kanë marrë pjesë dje paradite, në mitingun përmbyllës të fushatës elektorale, të kandidatit të koalicionit opozitar për kryetarët e bashkisë së Rubikut, zotit Mark Ruçi, kryetari i këshillit kombëtar të Bashkimit Liberal. Në këtë miting, Laço shprehu bindjen, se më 12 Tetor qytetarët e Rubikut dhe të gjithë Shqipërisë, do të votojnë për kandidatët e koalicionit opozitar dhe për këshillltarët e tyre, për të bërë të mundur ndryshimin e kësaj qeverie të korruptuar që ka varfëruar në maksimum shqiptarët.

Takimi i fundit i PBDNJ në rrethe ka qenë në Poliçan të Skraparit, ku kandidon për kryetar bashkie Adriatik Zotkaj. Ne jemi të sigurt në fitoren e PBDNJ në Poliçan është shprehur kryetari Dule. Kemi besim tek kandidati që kemi zgjedhur dhe mbi të gjitha tek elektorati i këtij qyteti. 12 Tetori do të jetë dita e hapjes së një perspektive të re, ka thënë Dule.

Turi elektoral i presidentit të Aleancës Demokratike Neritan Ceka është përqendruar ditët e fundit në veri të vendit. Ai ka zhvilluar disa takime elektorale në Peshkopi dhe Bulqizë në mbështetje të kandidatëve të kësaj partie, për këshilltarë bashkish dhe komunash të këtyre zonave. Ceka në fjalën e tij në Peshkopi ka evidentuar punën e bërë nga të zgjedhurit bashkiak të koalicionit të majtë.

Ndërkohë që dhe Partia Balli Demokrat ka mbyllur fushatën e saj elektorale në Tiranë.

Alfred Çako:- “Të gabosh është njerëzore, por të ngulmosh në gabime është një marrëzi. Mos ia jepni gjithë pushtetin bolshevikëve rozë, që me monopolet e krijuara po gllabërojnë ashtu si baballarët e tyre dje gjithë ekonominë e vendit”./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora