PS ka nisur një proces në të gjithë territorin e vendit për “rienergjizimin e kësaj force politike”. Pas Shkodrës, radhën e ka Peshkopia. Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me organizatat partiake në këtë qytet ditën e sotme, në shoqërinë e ministres Belinda Balluku.


Përmes një konference për shtyp, ai theksoi se ka pasur një numër të lartë të anëtarësimeve në PS e Dibrës. Këtë të fundit e cilësoi si organizatën më të shëndetshme të mazhorancës në vend.

“Ju jeni të mirëinformuar që ne në gjithë territorin e Shqipërisë kemi hyrë në një proces që e kemi quajtur rienergjizim të PS që synon një sërë gjërash, së pari një hapje të re të PS për të mundësuar përfshirjen e  shumë njerëve të të gjitha moshave dhe padiskutim burra, djem, gra e vajza që kanë dëshirë t’i bashkohen, por që për shkak të mënyrës si jemi të organizuar dhe një lloj refuzimi që fillon e bëhet vijë sjelljeje në këto lloj ciklesh.  Në të gjitha rastet ne jemi një forcë që sjell progres, diku më shumë e diku më pak, por progres. Ndërkohë që forcat e tjera sjellin rrëmujë, konfuzion dhe një statusquo që e degradon realitetin ku ata qeverisin  në mënyrë të vazdhueshme. Isha në Shkodër dhe realisht më ka lënë një mbresë shumë të keqe stadiumi. Ishte katandisur në një objekt sikur aty kishte rënë bomba dhe prej vitesh nuk kishte shkelur njeri, asnjë mirëmbajtje, asnjë vëëmendje. Si stadiumi në fakt është e gjithë Shkodra e cila ka filluar hap pas hapi të marrë veten. Si stadium ka qenë çdo bashki e Dibrës që mund ta dëshmoni të gjithë ju. Nëse sot kemi në Dibër një panoramë krejt ndryshe që materializohet hap pas hapi në kantiere të mëdha apo të vogla. Por përtej tyre materializohet në një raport tjetër të qytetarëve me qeverisjen vendore. Vjen si rezultat i përmirësimit të shëndetit të PS në Dibër. Organizata e Dibrës është nga më të shëndetshmet që ne kemi në Republikën e Shqipërisë. Besoj që edhe shifrat e anëtarësimeve të reja që janë mbresëlënëse, janë tregues i këtij fakti.”

Duke u shprehur optimist për rezultatet në Dibër, kreu i qeverisë shtoi se ka ende punë për të bërë.

“Besoj që Dibra i ka të gjitha mundësitë për të pasur një PS gjithmonë  e më të fortë dhe për të pasur ambicie përtej çdo hapi pozitiv. Anëtarësimi në BE është një procesh detyrash të rëndash shtëpie, që nuk janë vetëm për qeverinë, por për të gjithë sektorët dhe të gjitha pushtetet. Besoj kemi shumë arsye që të jemi me kokën lart para banorëve të Dibrës, por ndërkohë po të shohim sa shumë kemi për të bërë ne do ta ndajmë kokën ulur dhe të punojmë çdo ditë. Nëse shohim ku duhet ta çojmë këtë punë duhet vetëm të ulim kokën dhe të punojmë sa më fort. Duhet ta kemi PS në formën më optimale. Kjo bëhet duke u bërë hapësira ku të gjithë ndihen mirë, të gjithë.”

Këto takime kanë në fokus jo vetëm anëtarësimet e reja, por edhe zgjedhjet e ardhshme të 2025-ës./tvklan.al