Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Duke mbështetur deklarimet e një ditë më parë në parlament të deputetit Lesi, Partia Demokratike ka denoncuar ndryshimin e ligjit për trafikun e armëve nga Fehmi Abdiu në bashkëpunim me Fatos Nanon. Sipas sekretarit për çështjet juridike Ilir Rusmali, ligji 7895, i miratuar në parlament në ‘95, ishte një nga lëvizjet konkrete të PD në bashkëpunim me OSBE, për luftimin e trafiqeve, armëve, drogës etj. Ndërmarrjen e Abdiut, Rusmali e quajti ligjërim të platformës së këtij trafiku.

Ilir Rusmali: “Ndërmarrja e një nisme ligjore individuale nga deputeti Fehmi Abdiu, për ta abroguar këtë ligj të miratuar në kohën e Partisë Demokratike, e cila në fakt del e kuptueshme qartë, do të ishte platforma ligjore e tolerancës dhe e zhvillimit të krimit të organizuar dhe trafiqeve në Shqipëri.”

Ineficencë dhe mosveprim të strukturave të shtetit e ka quajtur Rusmali apatinë e prokurorisë dhe të SHIK-ut në lidhje me dy rastet e denoncuara nga Lesi, trafikun e armëve dhe incidentin e Shkallnurit./tvklan.al

Gazetare: Mimoza Koçiu