Lajme Arkiva – TV Klan 2003

“Do të legalizojmë me ligj trojet, do të japim kredi për procesin e legalizimit, e do të njohim në mënyrë të plotë pronën e pronarëve të ligjshëm, si dhe do të garantojmë me ligj kompensimin sipas skemave ligjore”.

Këto janë premtimet e kandidatit të Partisë Demokratike për bashkinë e Kamzës Agim Cani. Sipas tij, qeveria socialiste për legalizimet ka gënjyer e vazhdon të gënjejë, sepse nuk ka vullnet për ta bërë këtë gjë, pasi ajo ju ka fyer me etiketime të ndryshme, shprehet kandidati i PD për bashkinë e Kamzës Agim Cani.

Agim Cani:- “Jemi përpara momenteve, kur kemi përballë një parti aq të vjetër, 70 vjeçare, e cila në të gjitha mënyrat dhe mekanizmat kërkon që të pengojë rrugën tonë, rrugën demokratike”.

Juristi dhe biznesmeni i shquar në ndërtim është prezantuar nga kryetari i degës së PD Tiranë Vili Minarolli, shoqëruar nga Bamir Topi e kandidati për bashkinë e Tiranës Ngjela. Agim Cani premtoi se do ta kthejë bashkinë e Kamzës në një institucion për të gjithë banorët, në shtëpinë e popullit. Sipas kandidatit Cani, kjo fushatë elektorale është nisur në një moment, kur qeverisja e PS është klasifikuar tashmë si mafie shtetërore./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti