Përfaqësuesit politikë të linjës së ashpër të komunitetit serb të Kosovës do të konstituojnë këtë fundjavë kuvendin e serbëve të Kosovës.

Me këtë veprim ata do të sfidojnë hapur autoritetet e Prishtinës, ndërkohë që do të thellojnë ndasitë brenda komunitetit serb të Kosovës, megjithëkëtë kthim prapa nuk ka.

Në bazë të deklaratave të tyre kuvendi do të konstituohet këtë të shtunë ditë kjo që përkon me festën e Vidovdanit dhe betejën e famshme të Kosovës.

Lamberto Zannieri: “Mesa unë kuptoj ky është një kuvend i komunave e që nuk ka ndonjë rol operacional. Këtë veprim personalisht e shoh më shumë si simbolik. Nuk mendoj se kjo ndryshon realitetin në terren.”

Ndryshe nga kryeadministratori Zannieri presidenti Fatmir Sejdiu ka përdorur një gjuhë më të ashpër kur foli për këtë çështje.

Fatmir Sejdiu: “Unë mund të them se janë strukturat ilegale. E kemi thënë prej fillimi dhe të papranueshme dhe për misionet e Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare dhe e dyta si të tilla dihet përpjekja e tyre për të destabilizuar Kosovën”.

Ideja për konstituimin e kuvendit të serbëve të Kosovës po shtyhet nga linja e ashpër e përfaqësuesve politik të Beogradit, të cilët kanë vartësit e tyre në veri të Kosovës.

Kjo ide nuk përkrahet nga liderët e moderuar serb. Sllobodan Petroviç, kryetari i Partisë Liberale të Kosovës, del hapur kundër këtij kuvendi.

Sllobodan Petroviç: “Qëndrimi ynë është se këto aktivitete nuk do të shkojnë në dobi të komunitetit serb. Mendoj se këtu bëhet fjalë për promovim të individëve dhe partive të caktuara dhe se kjo nuk është në interesin e të gjithë serbëve të Kosovës”.

Kuvendi i serbëve të Kosovës do të konstituohet në veri të Mitrovicës e jo në Gazimestan, aty ku lindi miti serb për Kosovën, beteja e famshme kundër turqve e që rastisi të zhvillohet në ditën e festës së Vidovdanit./tvklan.al