Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ka përfunduar punimet në Tiranë Konferenca Ndërkombëtare “Qytetet motorë të zhvillimit ekonomik”. Dita e fundit e këtij takimi për zhvillimin e qyteteve europiane është konceptuar si një shkëmbim idesh dhe eksperiencash në lidhje me kryeqytetin shqiptar.

Në bisedë kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama është shprehur se nevojat e qytetit janë shumë larg mundësive financiare, duke bërë dhe një pasqyrë të rritjes së të ardhurave për bashkinë nëpërmjet menaxhimit të taksave. Sipas ekspertëve të huaj, në saj të ndërhyrjeve të fundit në qytet, Tirana ka filluar të shpëtojë nga e keqja.

Në fund të punimeve konferencën e ka përshëndetur dhe kryeministri Nano, duke falënderuar dhe ekspertët e huaj për mendimet e shprehura. Kjo konferencë do të shërbejë dhe si bazë për dialogë midis donatorëve dhe qeverisë shqiptare për investime në sektorin urban./tvklan.al