184 gra kanë marrë guximin për ti thënë “stop” dhunës, duke e denoncuar atë në seksionin kundër dhunës në familje pranë drejtorive të policisë në rrethe. Sipas statistikave 1 në 3 gra në vendin tonë dhunohet psikologjikisht dhe fizikisht, por jo të gjitha denoncojnë.

Ana Xheka: “Numërohen 984 raste të ushtrimit të dhunës në familje, që nuk është vetëm dhunë ndaj grave, po është edhe dhunë ndaj fëmijëve apo të moshuarve. Aktualisht policia ka çuar në gjykatë 74 kërkesa për nxjerrjen e urdhrit të mbrojtjes apo urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes për t’i ardhur në ndihmë viktimave të dhunës në familje.”

Seksioni kundër dhunës në familje është ngritur në janar të këtij viti, me anë të numrit të telefonit fiks, gratë e dhunuara mund të bëjnë denoncimin e tyre. Të gjitha thirrjet telefonike priten nga efektivë të policisë, të cilët pas sinjalizimit nisin procedurat në mbrojtje të viktimave të dhunës.

Ana Xheka: “Policia e çon çështjen në gjykatë dhe në varësi të vlerësimit që bën gjykata mund të nxjerrë urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes që në terma konkret do të thotë, i ofrohet mbrojtje viktimës  që mund të shkojë deri ën largimin e dhunuesit nga familja,”

Dhuna në familje është një problem jo vetëm për shoqërinë shqiptare, por edhe në mbarë Evropën, ku sipas statistikave 1 në 4 gra ndihet e dhunuar psikologjikisht dhe fizikisht./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami

Operator: Klodian Keçi