Balla: Në nderim të dëshmorëve, të kemi figurë sa më të pastër të Policisë së Shtetit

Përkujtohen në Berat 3 punonjësit e policisë të rënë në krye te detyrës 25 vite më parë. Në ceremoninë e nderimit të tre dëshmorëve, ku mori pjesë edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, u rivarrosën eshtrat e të ndjerit Lumën Hasanbelli.

Punonjësi i policisë humbi jetën pasi u përplas me armë me një bandë kriminale bashkë me kolegët Rushan Toska e Baftjar Grëmshi.

Ministri tha se Policisë i është dashur të paguajë me një çmim shumë të shtrenjtë realizimin e detyrës.

Taulant Balla: Janë të shumtë punonjësit e policisë që kanë dhënë jetën në kryerjen e detyrës së tyre fisnike. Nuk është vetëm motiv frymëzimi individual apo profesional, por është gjithashtu një tregues i heshtur që na bën të përulemi me nderim përballë këtyre njerëzve që nuk kursyen as gjënë e tyre më të shtrenjtë në realizimin e një misioni dhe në funksion të së mirës së shoqërisë tonë.

Milorat Hasanbelli është djali i një prej dëshmorëve të atdheut, i cili në kohën kur i ati ndërroi jetë ishte vetëm 8 vjeç. Prej vitit 2014 ai është pjesë e Policisë së Shtetit.

Klan News