Mes 10 studiove ndërkombëtare që paraqitën projekt-idetë  e tyre përpara një jurie ndërkombëtare pjesë e të cilës ishte dhe kryeministri Rama, fituese u shpallën tre studio. Për grupin e parë, Lot 1, e cila do të ndërojë strukturën administrative u zgjodh studioja  Franceze COLDEFY. Për lotin e 2 u zgjodh bashkimi i studiove ANDREA CAPUTO (Itali) dhe SO-IL (SHBA). Për grupin e dytë për lotin një dhe dy u zgjodh e studioja italiane BAUKUH.

Kadastra dhe institucione të tjera të administratës publike, do të jenë dy projektet e para të Korporatës së Investimeve që pritet t’i shtohen ndërtimeve të shumta të kryeqytetit.

Kryeministri Rama tha se shteti si pronar i truallit do të përfitojë infrastrukturë të re dhe kushte me dinjitoze për institucionet publike, një pjesë e të cilave i kanë me qira.

 “Institucionet publike paguajnë disa miliona euro në vit qira, për të ushtruar aktivitetin e tyre në mjedise që janë larg së qeni të denja për ambicien tonë të Shqipërisë 2030. Paraqesin edhe probleme te vazhdueshme mirëmbajtje si rezultat i të qenit godina të vjetra të trashëguara nga periudha komuniste dhe njëkohësisht të përdorura për qëllime të reja që nuk përshtaten fare me ato mjedise.”

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se Edi Rama e ka kthyer Tiranën në laboratorin më të madh të arkitekturës.

 “Duam që të shohim se si në këto 4 vatra investimi do të prodhojë më shumë mirëqenie, edhe një rritje të vlerës imobiliare në të gjithë atë zonë. Jam i sigurt që në finale si çdo debat tjetër, si çdo diskutim që kemi pasur. Këtu nuk bëhet fjalë për të harruar historinë ose për të mohuar kontributet, këtu bëhet fjalë për të prodhuar një realitet të ri në Tiranën tonë.”

Godinat e reja qeveritare do të ndërtohen në tokë shtetërore,  2 në rrugën ‘Sulejman Delvina’,  një tek zona ku dikur ka qenë godina e ATSH-së tek rruga e Elbasanit dhe tjetra pranë bulevardit Zhan Dark.

Klan News