Në 10 vjetorin e bombardimit të Serbisë nga NATO, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi e cilësoi atë si veprimin e duhur e të nevojshëm për çlirimin e Kosovës dhe fitimin e pavarësisë.

Hashim Thaçi:Ka qenë vendim i domosdoshëm i komunitetit ndërkombëtar pas nënshkrimit të marrëveshjes tonë në Rambuje, Kosova digjej dhe ndodhnin depërtimet nga Serbia. Prandaj lufta jonë  e drejtë e fitoi edhe përkrahjen ndërkombëtare. Ishte veprimi i drejtë në kohën e duhur, për të fituar Kosova liritë, prandaj edhe ai vendim dhe realiteti i krijuar sot si shtet i pavarur, sovran, demokratik i Kosovës i ka dhënë të drejtë ati vendimi sepse ai vendim ishte çelësi i storjes së suksesit për Kosovën e re.”

Në mbrëmjen e 24 marsit, 1999 Aleanca Veriatlantike nisi ofensivën e saj ushtarake për t’i dhënë fund luftës. Për të parën herë në historinë 50 vjeçare të ekzistimit te aleancës, liderët perëndimorë vendosën të përdornin NATO-n për të parandaluar spastrimin etnik nga forcat e Millosheviçit.

10 vjet më vonë, pavarësia e Kosovës njihet nga 56 vende të botës, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 22 nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Ndërkaq reagim i kundërt ka qenë ai i politikës serbe.

Fatmir Sejdiu:24 mars, i vitit 1999 qe sinjali i fuqishëm i botës liridashëse se sundimit të errët shtetëror serb në Kosovë duhet t’i vinte fundi me gjuhën e forcës ushtarake pasi që Beogradi zyrtar, nuk kuptonte asnjëlloj marrëveshje politike. Republika e Kosovës është shndërruar në një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Ajo angazhohet qetësisht për kultivimin e frymës së bashkëpunimit dhe të miqësisë me të gjitha vendet fqinje dhe pret që të kuptohet drejt në këtë qasje të saj. Kosova është e përcaktuar për të siguruar një të ardhme më të ndritshme për të gjithë qytetarët e saj duke i kushtuar vëmendje të veçantë punësimit të të rinjve, zhvillimit ekonomik dhe nxitjes së investimeve të jashtme në vendin  tonë.”/tvklan.al

Gazetare: Bora Sadriaj