Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gjatë kësaj jave prokuroria e Vlorës, deklaroi se shumë shpejt do ta dërgojë në gjykatë dosjen për rrëmbimin e Klajdi Shehut, nipi i biznesmenit vlonjat të çimentos. Kreu i akuzës së këtij rrethi tha, për TV Klan kundër të arrestuarve, si autorë të pengmarrjes, ndër ta edhe një punonjës policie, ka shumë prova dhe dëshmi, për të vërtetuar fajësinë.

Rrëmbimi i të riut Shehu, angazhoi krerët më të lartë të policisë për zbardhjen e kësaj ngjarje, e cila ndodhi pak javë pas vrasjes së biznesmenit Florian Vila pranë banesës së tij në Tiranë. Pas këtyre ngjarjeve përfaqësues të biznesit u takuan me drejtorin e policisë së shtetit Bajram Ibraj.

Vizita e parë zyrtare e Sekretarit Amerikan të Shtetit Kolin Powell në Tiranë, u shoqërua më masa të jashtëzakonshme sigurie. Përveç forcave policore dhe atyre speciale shqiptare, u angazhuan edhe përfaqësues amerikanë të sigurisë. Që para mbërritjes së zyrtarit amerikan, në aeroportin Rinasit, u vendos një numër i madh i ushtarëve të Gardës së Republikës. Ndërkohë që në kontroll të rreptë ka qenë gjithë rruga që lidh aeroportin ndërkombëtar me Tiranën. Edhe pse vizita disa orësh e zotit Powell, u përqendrua në trekëndëshin Presidencë – Kryeministri – Ambasada Amerikane, forcat speciale dhe të pajisura me snajper kanë qenë në survejimin në pikat më të larta në pjesën më të madhe të kryeqytetit. Vizita e zotit Powell kaloi e qetë dhe pa asnjë problem.

Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi, që dosja e grupit me 9-të pandehur “Hakmarrja për drejtësi”, t’i rikthehet për hetim Prokurorisë. Kështu u rrëzua vendimi i pushimit të kësaj dosje nga Gjykata e Tiranës, ku të gjithë të pandehurit gjykohen në mungesë. Mbi Hakmarrjen për Drejtësi rëndojnë 24 akuza. Ndër to janë vrasja e drejtorit të burgjeve Bujar Kaloshi, vendosja e autobombës tek ish-supermarketi VEFA, akte të tjera terroriste, rrëmbim personi etj. Gjykata e Apelit i ka dhënë të drejtë kërkesës së prokurorisë, për ta rijetuar këtë dosje.

Para komisionit parlamentar hetimor për transparencën e fajdeve, kanë dhënë deklarime dhe fakte të reja, kryeadministratori i fajdeve Farudin Arapi, prokurori i përgjithshëm Theodhori Sollaku dhe drejtori i përgjithshëm i përmbarimit Nasip Naço. Asnjë nga të konsideruarit si dëshmitarë para këtij komisioni, nuk pranuan të përmendin emra politikanësh, të cilët figurojnë debitorë në shuma deri disa milion dollarë ndaj disa firmave rentiere. Prokurori i Përgjithshëm deklaroi se është i gatshëm të urdhëroj nisjen e procedimit penal, për këdo person, pavarësisht postit.

10 persona u arratisën nga dhomat e paraburgimit, të komisariatit të Dibrës. Ata kanë përfituar kur një nga gardianët hapi derën e njërit prej të izoluarve. 9 nga 10 të arratisurit u kapën, disa orë pas largimit, ndërsa u arrestuan si përgjegjës për këtë rast tre punonjës policie të komisariatit. Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Burgjeve deklaruan se nuk mbajnë përgjegjësi për arratisjen, duke u shprehur se komisariatet janë në varësi të Ministrisë së Rendit.

Shoqata e jetimëve biologjik “Shpresa” në Elbasan, paditet nga disa familje, pasi fëmijët janë birësuar nga persona të tjerë pa dijeninë e tyre. Shoqata administrohet nga një çift britanik. Ai ka reaguar menjëherë pas akuzave të familjeve, duke thënë se tre fëmijët janë birësuar pasi është marrë miratimi i Komitetit Shqiptar të Birësimit. Nga ana tjetër prindërit e tyre pyeten se nuk janë pyetur nëse janë dakord me këtë./tvklan.al