Paditet në prokurori për fshehje të deklarimit të rremë të pasurisë, Drejtuesi i Prokurorisë së Durrësit, Arian Ndoja. Kryetari i sapo zgjedhur i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, Adriatik Llalla, kallëzoi ditën e mërkurë, penalisht zyrtarin e parë, për fshehje dhe mashtrim me deklarimin e pasurisë.

Drejtuesi i Prokurorisë Durrës, Ndoja ka një shumë të madhe të ardhurash, prej 743.000 eurosh që nuk i justifikon me detyrat e kryera në vitet e fundit. Në formularin e tij të pasurisë, Ndoja deklaron se të ardhurat i ka fituar gjatë periudhës Qershor 2004 – Janar 2008, nga puna e tij si avokat i Dhomës së Avokatisë Tiranë, me shumën 743.000 euro. Por pas kontrollit të ushtruar nga inspektorati në institucionet përkatëse, si Bankat e Qendra Kombëtare e Regjistrimit, rezulton e kundërta.

Qendra Kombëtare e Regjistrimit, konfirmon se subjekti Arian Ndoja në date 19.09.2007, është regjistruar si person fizik pranë QKR-së, për ushtrimin e aktivitetit privat të avokatisë. Pra nuk ka 4 vite por vetëm një. Nga ana tjetër, Bashkia Tiranë konfirmon se ky subjekt nuk figuron i regjistruar në regjistrat e bashkisë për ushtrimin e ndonjë aktiviteti e për rrjedhoje nuk ka paguar asnjë lloj detyrimi fiskal.

Shkresa zyrtare, e cila i është dorëzuar dhe njësisë hetimore për hetimin e krimit ekonomik, vlerëson se të gjitha të dhënat e mbledhura krijojnë dyshime të arsyeshme, se pasuritë e fituara nga subjekti Arian Ndoja gjatë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e avokatisë, ndër të tjera, janë rrjedhojë dhe e fshehjes së detyrimeve fiskale./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani