Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kryeministri Fatos Nano, me shkarkimin e Sokol Krajës nga detyra e drejtorit të përgjithshëm të doganave dha sinjalin e parë, se këtë fat do ta kenë të gjithë anëtarët e kabinetit të tij dhe zyrtarët e tjerë, që nuk zbatojnë kriteret e kontratës të firmosur katër muaj më parë. Lëvizja e papritur të zotit Kraja nga ky post, i cili u zëvendësua nga Ferdinand Papadhima, po komentohet nga analistët, si një paralajmërim i posaçëm edhe për largimin e Ministrit të Financave Kastriot Islami.

Shkarkimi i tij është kërkuar muaj më parë nga opozita. Kryetari i së cilës Sali Berisha, me një fjalim të ashpër në fillim të javës, akuzoi PS, se kishte realizuar dështimin e marrëveshjes së Qershorit, për reformimin e institucioneve. Paralelisht me këtë qëndrim të ashpër të qeverisë, lideri i opozitës njoftoi se PD, me fillimin e sesionit të ri parlamentar, do të kërkonte ngritjen e një komisioni të posaçëm për hetimin e kryebashkiakut Edi Rama, që nga koha kur ai ishte ministër i kulturës.

Në aktivin e degës së Tiranës, zoti Berisha e akuzoi Ramën, si bosin e mafies rajonale të ndërtimeve dhe tha, se ai duhet të ballafaqohet me drejtësinë. Ndërsa në një takim në Berat, zoti Berisha e ka shfrytëzuar për të shpjeguar domosdoshmërinë e unifikimit të opozitës. Kreu i demokratëve ka filluar bisedimet me aleatët e tij të koalicionit Bashkimi për Fitore dhe gjatë ditëve në vazhdim do të ketë bisedime edhe me kryetarë të tjerë të partive opozitare.

Bisedime me aleatët do të zhvillojë edhe Partia Socialiste. Sekretari i përgjithshëm i PS Gramoz Ruçi, i ka filluar ato me aleancistët e përfaqësuar nga Neritan Ceka. Ndërsa më vonë do të ketë bisedime edhe me socialdemokratët dhe aleatët e tjerë të Aleancës për Shtetin. Qëllimi nuk është dalja në zgjedhjet lokale me një kandidat të përbashkët, por bashkëpunimi në komuna dhe bashki të veçanta. Piketat e par të bashkëpunimit do të përcaktohen në mbledhjen e KPD-së, që u caktua në fund të muajit nga kryesia socialiste.

Në mbledhjen e kryesisë, kryetari Fatos Nano, i hodhi poshtë, si të pavërteta akuzat e opozitës, se mazhoranca po pengonte reformat në vend dhe i bëri thirrje forcës më të madhe të opozitës, të bashkëpunonte në interes të vendit. Këtë apel, kryeministri e përsëriti edhe në mbledhjen e komitetit ndërministror të integrimit. Dy ditë para vizitës të Trojkës Europiane në Tiranë, zoti Nano tha, se vendit i duhej ruajtja dhe forcimi i stabilitetit politik, si kushti kryesor për hapjen e negociatave me BE. Kryeministri deklaroi se mazhoranca është e gatshme të përmbush kërkesat për reformën zgjedhore, zgjidhjen e  çështjes së pronës, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke bashkëpunuar edhe me fqinjët.

Të njëjtin angazhim autoritetet shqiptare morën edhe gjatë vizitës në Tiranë, të ministres së jashtme maqedonase Ilenka Mitreva. Në takimet në Tiranë u diskutua veçanërisht për të intensifikuar luftën e përbashkët kundër traikut të drogës dhe përforcimit të kufijve. E ndërsa me Maqedoninë po zgjerohen fushat e bashkëpunimit, nga Kosova erdhi një akuzë e rëndë për Tiranën. Në funeralin e një prej aktivistëve të LDK Tahir Zemajt, vrasja e të cilit u akuzua si krim politik, një tjetër anëtar i partisë së presidentit Rugova, deklaroi se bandat e Vlorës që shkatërruan Shqipërinë në ’97, po kryejnë vrasjet politike në Kosovë./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço