Ka qenë vetëm fat që deri tani nuk janë prekur nga ndonjë epidemi. 140 familje që jetojnë në një bllok pallatesh pranë shkollës teknologjike prej kohësh bashkëjetojnë me erën e pakëndshme, pisllëkun dhe ujërat e zeza që kanë përmbytur bodrumet e pallatit. Por situata është rënduar së tepërmi pas reshjeve të shumta të këtyre ditëve të fundit. Fajin, sipas banorëvve, për situatën e krijuar e ka firma ndërtuese e cila nuk ka bërë kanalizimet si duhet.

“Kështu s’mund të jetohet dhe uji i zi është fekale dhe pastë faqen e zezë ai i Bashkisë, që ka hedhur firmën, ai që ka bërë projektin dhe ai që na e shiti neve dhe po vijmë vërdallë tani!”

“Këtu ka ndryshuar projekti. Ky pallat është hipotekuar. Unë nuk e kuptoj kush e ka hipotekuar kur kuadri ligjor dhe të gjitha gjërat e këtij pallati nuk kanë qenë sipas kërkesave të kohës. Shumica e këtyre dyqaneve këtu janë ushqimorë dhe do të krijojnë probleme, do të hapin ndonjë kolerë.”

“Shqetësimet e kanalizimeve për këtë pallat kanë qenë që në fillim. Firma që ka ndërtuar nuk ka zbatuar rregullat e derdhjes së kanalizimeve të ujërave të zeza, konkretisht ky pallat mbetet rrezik infeksioni në çdo moment.”

Shumë nga bodrumet janë kthyer në dyqane apo lokale dhe pronarët e tyre ankohen se shumica e mallit është dëmtuar.

“Komplet malli më është mbytur. Kjo është bërë brenda dy ditëve, që kur janë hequr pompat. Se kush do t’i paguajë këto, unë nuk di çfarë të them.”

Ndërkaq banorët thonë se janë ankuar pranë Bashkisë dhe Drejtorisë së Ujësjellësit duke iu drejtuar në mënyrë zyrtare me shkresa dhe peticione, por deri tani duket se askush nuk e ka vënë ujin në zjarr. Indiferenca e tyre dhe më tepër e pronarëve të firmës, që pas shitjes së apartamenteve duket se janë zhdukur, po vënë në rrezik jetën e të gjithë banorëve./tvklan.al