Në një intervistë për Klan News, kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha thotë se prioritet për pastrimin nga balta që lanë pas përmbytjet e ditëve të fundit, janë shkollat dhe çerdhet për të qenë gati për nisjen e mësimit të hënën.

“Shkollat janë prioritet sepse nesër është ditë shkolle, kështu që të gjitha ato që janë prekur nga uji ose balta do pastrohen dhe deri në darkë do jetë në rregull.”

Nga ana tjetër autoritetet po punojnë për verifikimin e të gjitha dëmeve në banesa dhe biznese.

“Ka problematika, megjithatë të gjitha ekipet janë në terren. Ne kemi organizuar dhe grupe të veçanta që t’ju shkojmë në ndihmë edhe banorëve që kanë pasur dëme në banesat e tyre. Për të bërë pastaj edhe një kalkulim të saktë për faturën financiare. Kështu përfshihen edhe bizneset.”

Për kryebashkiakun Dredha, shkak i situatës së krijuar nga reshjet intensive ishin ndërtimet pa leje ndër vite.

“Problematika është e qartë, janë 30 vite që është ndërtuar në mënyrë abuzive ku të munden njerëzit. Është një analizë paraprake për të marrë masat tona, kush është për t’u ndëshkuar pastaj për pjesën e infrastrukturës së qytetit.”

Në punë është vendosur edhe hidrovori që një ditë më parë doli jashtë funksionit. Në bashkëpunim me Rezervat e Shtetit janë dërguar për banorët e prekur 4,5 ton mallra ushqimore, 1,5 ton ujë dhe 200 litra detergjentë.

Klan News