Menaxhimi i përmbytjeve në veri të vendit nga qeveria shqiptare është vlerësuar dhe nga eurodeputetja Doris Pack. Në të kundërt, qëndrimi i opozitës shqiptare është kritikuar rreptësisht edhe për pëdorimin e situatës së përmbytjeve për interesa të ngushta personale.

“Më kujtohen përmbytjet në Gjermani disa vite më parë. Këto janë gjëra që ndodhin rrallë. Si rrjedhim, mund t’ju them se janë dy gjëra të ndryshme të jesh i përgatitur për këtë dhe të menaxhosh situatën. Parë nga jashtë, menaxhimi i qeverisë shqiptare ka bërë atë që duhej dhe unë mundem veç ti përgëzoj për punën që kanë bërë ushtria, qeveria për organizimin e operacioneve dhe aktorët e tjerë në terren. Nuk mendoj se zoti Rama e ka mësuar mësimin, pasi ai po përdor edhe përmbytjet për diskutime partiake, siç e lexoj edhe në shtyp. Është e turpshme, pasi kur kujtoj përmbytjet e mëdha në Gjermani, të gjithë forcat politike u bashkuan dhe nuk akuzonte qeverinë s’ka bërë këtë apo atë. Kjo është një situatë, ku shqiptarët duhet të qëndrojnë të bashkuar”, tha eurodeputetja Pack.

Edhe kryetari i Delegacionit për Evropën Juglindore, Eduard Kukan ka dënuar bojkotin e opozitës shqiptare në parlament, duke thënë: “Kur në një vend ka një situatë normale demokratike, ka vend për opozitën për të luajtur rolin  e saj demokratik. Fakti që ata nuk po marrin pjesë në punimet e Kuvendit, është diçka e keqe për vendin. Mendoj se ata duhet ta rishohin qëndrimin e tyre dhe shoqëria të funksionojë siç duhet”.

Ndërsa Doris Pack shtoi: “Një opozitë që rri në rrugë dhe nuk luan rolin  e saj në parlament, përçon një imazh negativ për Shqipërinë, jo vetëm për Partinë Socialiste. Ata po e përdorin Shqipërinë për interesa të tyre shumë private. I takon Partisë Socialiste që te kuptojë se gjërat nuk mund të vazhdojnë më kështu”.

Tv Klan