Vetëm 1130 hektarë toke ende nën ujë

Kjo është xhamia e Plumbit në Shkodër vetëm pak ditë më parë e rrethuar nga uji. Ndërsa këto janë pamjet që vijnë sot nga e njëjta zonë ku paraqitet një situatë krejt tjetër. Në Qarkun e Shkodrës situata po shkon drejt normalizimit në të gjitha zonat e prekura nga përmbytjet, teksa uji ka nisur të tërhiqet.

Autoritetet raportojnë se sipërfaqja totale e përmbytur ka shkuar në 1130 Ha. Të gjitha rrugët janë të kalueshme dhe nuk ka më prezencë uji në asnjë banesë.

7 familje me rreth 24 persona vijojnë të jetë të evakuuara dhe janë të strehuar në konviktet e qytetit të Shkodrës. Lumenjtë Drin dhe Buna janë brenda nivelit kritik dhe nuk paraqesin asnjë rrezik.

Edhe kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, në një intervistë me edicionin e lajmeve në Tv Klan konfirmoi përmirësimin e situatës në Shkodër. Çako tha se banorët e prekur nga përmbytjet do të dëmshpërblehet sipas ligjit.

“Dosje të cilat do të vlerësohen dëmet e shkaktuara me ekspertë, me specialistët e bashkive në bazë të ligjit. Gjithçka do të kompensohet në bazë të ligjit.”

Përmbytjet në Qarkun e Lezhës janë ende prezente. 2350 ha tokë është ende nën ujë. Ndërsa në fshatin Kakarriq vazhdon të ketë prezencë uji në 4 banesa.

Mbi 2260 forca të armatosura nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile janë në terren duke u ardhur në ndihmë banorëve.

Për shkak të motit të keq, disa zona në Shkodër, Kukës dhe Gjirokastër vijojnë të jenë pa energji elektrike.

Tv Klan