Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka shprehur mirënjohjen për punonjësit e Gardës së Republikës të cilët u përballën me tentativat e deputetëve të opozitës për tu futur në ambientet e Kuvendit. Spiropali ka theksuar se Garda nuk e meriton të trajtohet në atë formë.

Ndër të tjera Kryetarja e Kuvendit është shprehur se deputetët që nuk janë dënuar, duhet të jenë në sallë dhe se ata që i pengojnë kryejnë një akt shumë të rendë.

“Padiskutim që deputetët që nuk janë dënuar, duhet të jenë në sallë dhe ata që i pengojnë bëjnë një akt shumë të rëndë, jo vetëm ndaj tyre, por dhe ndaj Gardës së Republikës për të cilën kërkoj të gjithë mirënjohjen tonë dhe të publikut, që bënë një detyrë shumë të vështirë dhe përballet me shumë sulme, me shumë fyerje  të pamerituara. Të gjithë ata janë baballarë, të gjithë ata janë vëllezër, janë bij dhe nuk meritojnë të  trajtohen në atë formë”, shprehet Kryetarja e Kuvendit.

Ndërkohë seanca e ditës së sotme u zhvillua vetëm me praninë e mazhorancës dhe nisi në orën 10:00, siç ishte parashikuar. Fillimisht pati përplasje me deputetët e opozitës që tentuan të bllokojnë kolegët e tyre të mazhorancës për të mos hyrë as ata. Mirëpo socialistët përdorën dyer të tjera për t’u futur në sallën e seancave plenare.

/tvklan.al