Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta i ka kërkuar takim kryetari të Partisë Socialiste Edi Rama. Në konferencë për shtyp për rreth 40 min, Meta ka shpjeguar me Kushtetutë në dorë të gjitha ndryshimet që ai i konsideroi shkatërruese për republikën parlamentare.

Ilir Meta: “Çdo të thotë republikë parlamentare, i dashur kryetar i Partisë Socialiste dhe ju deputetë të Partisë Socialiste, që nuk vini të firmosni për t’i dhënë popullit mundësinë që të rishprehet për atë që ka vendosur një herë? Ndryshimi i këtyre 2 neneve e kthen parlamentin në peng të kryeministrit, e kthen kryeministrin në një kontrollues dhe në një shantazhues të parlamentit.”

Por Mimi Kodheli në emër të sekretariatit ekzekutiv të Partisë Socialiste dhe kryesisë së grupit parlamentar i kërkoi Metës sërish të reflektojë. E kjo si përgjigje ndaj letrës publike që ky i fundit i ka dërguar kryetarit Edi Rama 2 ditë më parë.

Mimi Kodheli: “Partia Socialiste e Shqipërisë nuk e dëshiron konfliktin e paarsyeshëm që zotit Ilir Meta ka hapur mbi bazën e një projekti personal dhe nuk do të bëhet asnjëherë pjesë e këtij konflikti që nuk ka asnjë bazë parimore, asnjë arsye objektive, asnjë argument të qëndrueshëm dhe asnjë interes në dobi të jetës së shqiptarëve dhe shqiptareve.”

Por duket se Odiseja e përplasjeve mes dy partive tashmë në opozitë dhe me njëra-tjetrën nuk ka përfunduar këtu, pasdite Luzhjana Abazaj përfaqësuese e Lëvizjes Socialiste për Integrim i dorëzon një zarf selisë rozë. Kërkesa për referendum drejtuar krye socialistit Rama siç tha Abazaj, gjatë një komunikimi me median./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi