Njësisë nr 1 në Tiranë i është shtuar kopshti “Ylberi” i cili do të ketë mjedise të reja për 180 fëmijë. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se ky kopësht vijon traditën për transformimin e shkollave dhe kopshteve.

“Kemi kopshte me ashensorë, me super kuzhina, me ushqime të freskëta, që konsumohen brenda ditës. Këtë standard e kemi traditë në bashki sepse ne nuk ndërtojmë vetëm një ndërtesë, por një komunitet. Pra, nuk është një hapësirë ku sjellim 180 fëmijë gjatë ditës, por një ndërtesë komunitare, ku fëmijët mësojnë aftësitë bazë. Ky shtator ka qenë i jashtëzakonshëm, me hapjen e disa shkollave të reja, por do të vazhdojmë t’i shtojmë kopshtet. E kuptoj padurimin e njerëzve, të cilët kërkojnë të ndërtohen më shumë kopshte.”

Veliaj theksoi se do të vijojë hapja e kopshteve të reja në lagjet jashtë qendrës së kryeqytetit.

Ne do të sigurohemi që, edhe në disa hapësira të tjera, sidomos në zona si Fresku, lagjja Rilindja, Liqeni i Thatë, të shkojmë me një sistem qiraje, aty ku nuk kemi mundësi të ndërtojmë pronat e bashkisë. Pra, të ketë një hyrje më vete, të ruhet privatësia, të mos ketë komunikim me banorët e pallateve etj. Dua të falenderoj të gjithë prindërit për besimin. E di që e kanë pritur me padurim hapjen e këtij kopshti. Për të gjithë pellgun e Shkozës, dhe gjithë kjo lagje mes Tiranës së zhvilluar dhe një Tirane në zhvillim e sipër.”

Sipas Bashkisë Tiranë në të gjitha kopshtet publike janë rreth 17 mijë fëmijë të cilët qëndrojnë e mësojnë në ambiente bashkëkohore.

Klan News