Janë dashur më shumë se 7 vite për t’u ndërtuar dhe mëse 20 vite që është në funksion të Shkodrës, por në veçanti të turizmit.

Familja Meti nga Shkodra ia ka dedikuar jetën investimit në këtë kështjellë e cila ngjan me një muze të traditës dhe identitetit shqiptar.

Në këtë kështjellë, ndjesia e kthimit në gjenezë dhe lashtësia e popullit shqiptar janë të pranishme në çdo cep.

Në hyrje të saj duket se jep mirëseardhjen mbretëresha ilire Teuta e më pas gjen skulpturat madhështore të mbretit Agron dhe Gent ndërsa nuk mungojnë dhe kuajt simbolikë të ushtrisë ilire. Një përvojë autentike e mikpritjes shqiptare. Çdo gur, çdo gdhendje, cdo element ka identitet shqiptar ndërsa qëndron përballe kalaja Rozafa, simbol i qytetit dhe panorama ngjan me një tablo surreale të bashkimit të lumit Drin me lumin Buna.

Administratori Samir Meti tregon se në ato vite kur të gjithe bizneset orientoheshin nga modernizimi, ato zgjodhën t’i qëndronin besnik traditës dhe historisë sonë të pasur. Teksa sot shprehet i lumtur që kjo kështjellë vizitohet nga qindra turistë nga e gjithë bota e gjithashtu mbetet një ndër vendqëndrimet e preferuara të emigrantëve të cilët në kthimet e tyre të përvitshme, ndalen përherë aty për të ndierë më afër aromën e Shkodrës.

Duke parë kërkesat në rritje të turistëve për të vizituar Shkodrën, Samiri thotë se tashmë kjo kështjellë ka në dispozicion për fjetje disa dhoma të cilat janë jo vetëm panoramike, por çdo element është një kthim pas në kohe. Teksa shtegu për aty i ngjan një galerie me piktura, të cilat portretizojnë figura patriotike të Shkodrës dhe më gjerë.

Një ndër dhomat më të veçanta është ajo e cila ka në brendësi të saj njërën prej faqeve të malit të Taraboshit.

Teksa ku flitet për turizëm sigurisht kulinaria mbetet një ndër pikat e forta se përse Shkodra mbetet aq e preferuar si destinacion. Samiri na tregon se ambienti i tyre mbështetet fort tek gatimi tradicional i cili të kujton gatimet e gjyshes.

Tre jane specialitetet të cilat preferohen më së shumti, kuptueshëm mbreti i liqenit siç konsiderohet krapi me tavën karakteristike dhe po ashtu ngjala si peshk identitar i liqenit të Shkodres, ndërsa ato të cilët duan t’i qëndrojnë besnik mishit si produkt preferojnë mishin e kecit në furrë.

E teksa kanë plot 20 vite të dedikuar në këtë ëndërr e cila ka marrë formën e një kështjelle të gurtë në malin e Taraboshit, kjo familje thotë se tashmë dedikimi është i fokusuar tek turizmi kulturor duke synuar të përcjellin shpirtin e vërtetë të Shqipërisë tek të gjithë ata që kalojnë në muret e larta të kësaj kështjelle.

Klan News