Kryeministri Rama habiti jo pak këtë të mërkurë kur deklaroi se ka dijeni për një sulm të organizuar që po kryhet ndaj turizimit shqiptar.

Rama nuk specifikoi se nga cili vend vijnë këto sulme por sipas tij janë faktuar që shfaqen përmes videove apo lajmeve që deformojnë të vërtetën mbi turizmin.

“Janë të habitur nga shumë video, lajme e komente të rreme, të manipuluara, të bëra me qëllim që duan të thonë se këtu s’ka ardhur njeri. Faktet janë në terren, nuk është ky preokupimi kryesor që të merremi me ata që janë pjesë e këtij sulmi që vjen nga disa anë. Sistemet tona të sigurisë kanë ndezur dritën e kuqe, të sigurisë kibernetike. Shumë profile false që përdoren për këtë sulm”.

Por nga ana tjetër, Kryeministri pohon se imazhin e turizmit shqiptar po e “vrasin” vetë sipërmarrësit në këtë sektor të cilët kanë rritur në mënyrë të paarsyeshme çmimet.

“Meqë na thanë vjet që Shqipëria është shumë e lirë, ne po ia hedhim në erë të gjithë tavanet e arsyes së çmimeve” është komplet një ide komplet e çmendur”.

Rama bën një diferencim mes Durrësit dhe bregdetit të Lezhës dhe Shkodrës me atë të jugut, ku çmimet kanë kapërcyer çdo tavan normal në hotele dhe restorante.

“Gropa në gjoksin e vlonjatëve është hapur dhe është bërë një gropë ku do bien vetë këta që i ngrenë ato çmime në atë farë feje. Do bien vetë në gropën e gjoksit të tyre. Më mirë syri sesa nami. Vlonjatëve u ka dalë edhe syri, edhe nami, u kanë dalë dhe trutë nga vendi, atyre që kanë ato hotelet dhe nuk dinë më se çfarë bëjnë”.

Arsyeja përse Rama i mblodhi kryebashkiakët të majtë e të djathtë, ishte Vendimi i Këshillit të Ministrave për të përfshirë dhe bashkitë në përshpejtimin e procesit të legalizimit.

Në to do të ketë tanimë një zyrë të posaçme e cila do të ndërmjetësojë plotesimin e dokumentacionit mes qytetarëve dhe Kadastrës. Porosia e Kryeministrit është që prioritet të jenë legalizimi i banesave.

“Ju keni detyrën kryesore që të vendosni radhë”.

Një tjetër lajm që dha kreu i qeverisë është dhe rinisja e procesit të rivlerësimit për pronat e paluajtshme, që qeveria ka vendosur që tatimi që do të paguhet sa kohë do zgjasë ky proces do të jetë 5 përqind.

Rama ju tërhoqi vëmendjen kryebashkiakëve dhe për pastrimin. Ai e cilësoi të papranueshme situatën në liqenin e Komanit ku do të përfshihet dhe ushtria për pastrimin nga mbetjet që hedhin banorët e zonës.

Tv Klan