Ilir KarciniGjykata e Krimeve të Rënda rrezoi kërkesën e Ilir Karçinit për ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg”, në “detyrim paraqitje”, duke e lënë në qeli biznesmenin nga Fieri, i cili dyshohet se do të paguante 120 mijë euro për eliminimin e konkurrentit të tij, ngjarje kjo e parandaluar nga policia.

Gjykatësja Etleva Deda, vendosi të lërë ne qeli Karçinin, duke vlerësuar të ligjshëm arrestimin me burg të dhënë në mungesë për biznesmenin tre ditë më parë nga gjykata e krimeve të rënda, si dhe duke pranuar kërkesën e prokurorëve Ardian Nezha dhe Behar Dibra.

Gjatë seancës të zhvilluar sot me dyer te mbyllura në gjykatën e Krimeve të Rënda, Ilir Karçini, i cili dyshohet se pagoi Julian Sinanajn për të vrarë një prej biznesmenëve të hidrokarbureve në Durrës, theksoi se nuk e njihej me Julian Sinanaj dhe të penduarin N.GJ. Ai ka pranuar konfliktet me biznesmenin e gazit Piro Bare, por mohon të ketë paguar apo urdhëruar vrasjen e tij.

Avokati i Ilir Karçinit, ish-kryeprokurori, Theodhori Sollaku ka deklaruar se do ta ankimojë masën e sigurisë për klientin e tij në Gjykatën e Apelit.

Por Prokurorët thanë se kanë prova që provojnë të kundërtën. 44 vjeccari Ilir Karçini, pronari i një firme gazi me qendër në Patos të Fierit, do të përballet me një akuzë të rëndë, atë për sigurimin e materialeve për vrasjen e kolegut të tij durrsak Piro Bare, porosi e cila nuk u çua dot deri në fund nga Julian Sinanaj.

Emri i Ilir Karçanit është përcjellë disa ditë më parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda pas dëshmisë së Julian Sinanaj. Arrestimi i biznesmenit u bë ditën e shtunë në banesën e tij në kryeqytet dhe nën masa të larta sigurie.

Pas shoqërimit në Drejtorinë e Policisë Karçini është njohur me masën e sigurisë “arrest me burg”, vendosur në mungesë nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe akuzën ndaj tij, “Sigurimi i mjeteve materiale dhe kushteve për realizimin e një vrasje”, parashikuar nga kodi penal dhe që dënohet deri në 5-së vjet heqje lirie.

Julian Sinanaj në rrëfimin e bërë në prokurori ka theksuar se porositësi për vrasjen e radhes këtë ka qenë Andon Mëhillaj ( i shpallur në kërkim). Sinanaj ka treguar se pagesa do të ishte 120 mijë euro dhe se krimi do realizohej më 25 Janar, në zonën e liqenit.

Burime policore kanë konfirmuar, se është gjetur edhe transaksioni bankar i vlerës së deklaruar për ekzekutimin e biznesmenit Bare, prapa të cilës sipas prokuroreve qenron Ilir Karçanin.

 

redaksia/tvklan.al