Policia e Elbasanit  ka mundur të evitojë një akt terrorist të parapërgatitur nga dy persona në lagjen “Çlirimi” të këtij qyteti.

Dy mina të telekomanduara me celular dhe 80 gram eksploziv C4, që do të përdoreshin në shpërthimin e banesës së një shtetasi, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërkohë që janë vënë në pranga dy persona si posedues të këtyre lëndëve eksplozive.

Pas një survejimi disa javor uniformat blu kanë neutralizuar tentativën e Nevik Hysenajt, 36 vjeç nga Vlora, dhe Arben Binjakut, 32 vjeç nga Elbasani, për të hedhur në erë banesën e një personi, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimi.

Sipas të dhënave të policisë akti terrorist kishte si qëllim eliminimin fizik të një personi që dy autorët e akuzonin si vrasës të një të afërmi të tyre.

Në sajë të operacionit të koduar “C4”, policia e Elbasanit ka parandaluar shpërthimin e eksplozivit, i cili do të kryhej nëpërmjet telefonave celularë./tvklan.al

Gazetar: Fatos Hakorja