Policia greke mohon dyshimet se 29-vjeçari shqiptar Pëllumb Marnikollaj është vrarë në një stacion të policisë së Athinës. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, pas akuzave të publikuara në median shqiptare, drejtoria e policisë greke thotë se po zhvillon një hetim të brendshëm, lidhur me rrethanat e vdekjes së emigrantit që do t’i bashkangjitet hetimeve të Prokurorisë së Athinës.

Sipas saj, hetimi ka nisur më datë 11 Gusht dhe nga ekspertiza paraprake janë konstatuar dëmtime në kokë dhe hemoragji e brendshme, që mund të kenë ardhur nga rënia nga një lartësi e madhe.

Për ngjarjen kanë nisur hetimet edhe autoritetet shqiptare. Me shqetësim po ndjek zhvillimet edhe Presidenti i Republikës. Përfaqësuesi i Kabinetit  të kreut të shtetit, ka kontaktuar me familjarë të të ndjerit. Gjithashtu Presidenti Bujar Nishani do të thërrasë në një takim prokurorin dhe Ministrin e Drejtësisë, lidhur me vrasjen e 29 – vjeçarit lezhjan Pëllumb Marnikollajt.

Tv Klan